NJËSIA 9: Qeverisja dhe politika

Living Democracy » Textbooks » Të jetuarit në demokraci » Pjesa 4: Pushteti dhe kompetencat » NJËSIA 9: Qeverisja dhe politika

Si duhet të qeveriset shoqëria?

ID_5599

Politika është proces përmes të cilit shoqëria e njerëzve, me opinione dhe interesa të ndryshme, merr vendime të përbashkëta se si duhet të organizohet jeta e tyre bashkërisht. Ky proces përfshin bindjen dhe negocimin, dhe ndonjë mekanizëm për arritjen e vendimit përfundimtar, siç është  votimi. Përfshin pushtetin dhe kompetencat, dhe një element të shtrëngimit (forcës)– vetëm për të siguruar që vendimet e përbashkëta janë detyruese mbi grupin si tërësi.

Prandaj, politika përkufizohet nga pikëpamja e institucioneve të shtetit dhe relacionit në mes të shtetit dhe qytetarëve të tij. Relacioni merr forma të ndryshme në llojet e ndryshme të sistemit politik, për shembull, monarkitë, demokracitë dhe regjimet totalitare.

Në një sistem demokratik, qytetarët gëzojnë barazi politike. Vendimet e përbashkëta merren me formën e votimit të shumicës, qoftë nga vetë qytetarët apo përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Por politika demokratike nuk është vetëm votimi. Kjo politikë ka të bëjë edhe me diskutimin dhe debatin, dhe mundësitë për qytetarët që zëri i tyre të dëgjohet për çështje me rëndësi publike.

Një çështje e rëndësishme në demokraci është funksionimi i duhur i institucioneve të shtetit dhe detyrat përkatëse të qytetarëve. Çështje tjetër është deri në çfarë shkalle institucionet individuale brenda një shteti demokratik duhet të qeverisen në mënyrë demokratike (për shembull shkollat).

Të mësuarit për Edukimin e Qytetarisë Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut

Përmes kësaj serie të mësimeve nxënësit do të:

  • kuptojnë format e ndryshme të qeverisjes dhe implikimet e tyre për qytetarët;
  • kuptojnë më shumë përgjegjësitë dhe funksionet e qeverisjes, dhe detyrat përkatëse të qytetarëve;
  • familjarizohen më shumë me proceset demokratike;
  • mësojnë më shumë për sistemin politik në vendin e tyre.

Lexuesi do të vërejë se në planet vijuese të mësimit sugjerohet një detyrë shtëpie që do të mbështesë mësimnxënien dhe të kuptuarit e nxënësve. Më së miri, mësimet pasuese të fillojnë me informacionet e nxënësve. Për këtë nevojitet kohë dhe kjo shpesh nxit parashtrimin e pyetjeve në klasë, duke treguar nevojën për përsëritje ose sqarim, apo mund të stimulojë edhe diskutime spontane. Mësimdhënësi është ai që duhet të vendosë nëse planifikimi i kohës lejon shtimin e një mësimi shtesë në këtë njësi për nevojat e mësimnxënies së nxënësve dhe interesave të tyre. Është e qartë se ka kufizime në zgjerimin e një njësie, prandaj alternativat janë të nevojshme. Nëse koha është e kufizuar, mësimdhënësi mund të mbledhë disa ose të gjitha pjesët e shkruara dhe të jep opinionin e tij ose, në disa raste, edhe të notojë punën e nxënësve. Nxënësit mund të dorëzojnë punën e tyre edhe në mënyrë vullnetare. Në fund, detyrat e shtëpisë mund të shërbejnë për përsëritje ose vazhdimësi për t’u përgatitur për test. Parimisht, mësimdhënësi gjithmonë duhet të ketë parasysh funksionin e detyrave të shtëpisë të nxënësve dhe të vendosë nëse do t’i integrojë ata në planifikimin e ardhshëm të mësimeve, dhe nëse po, si.

Një shembull i planifikimit të tillë është shtjelluar në përshkrimin e mësimit të katërt.

NJËSIA 9: Qeverisja dhe politika

Si duhet të qeveriset shoqëria?

Titulli i mësimit Objektivat Detyrat e nxënësve Burimet Metoda

Mësimi 1:

Kush është përgjegjës?

Nxënësit mësojnë për forma të ndryshme të qeverisjes, p.sh. demokracia dhe diktatura. Nxënësit reflektojnë në drejtësinë e sistemit aktual të qeverisjes në një shoqëri imagjinare. Kopje të prospekteve për nxënës 9.1 për çdo nxënës, letër dhe stilolapsa. Tregim, punë në çifte, diskutim me tërë klasën, debat formal.

Mësimi 2:

Po të ishit ju presidenti

Nxënësit mund të shpjegojnë funksionet dhe përgjegjësitë e qeverisjes. Nxënësit imagjinojnë se ata formojnë qeverinë dhe se duhet të vendosin si duhet harxhuar mjetet qeveritare. Ata marrin parasysh ato modele të përkryera shoqërore të cilat ata dëshirojnë t’i arrijnë. Një fletë e madhe e letrës, markera (shënues) dhe fletë të letrës për çdo grup me nga 4-6 nxënës. Postera, prezentime, punë në grupe të vogla dhe diskutim me tërë klasën.

Mësimi 3:

Unë dhe roli im

Nxënësit mësojnë për detyrat e qytetarëve në një shoqëri demokratike. Nxënësit shqyrtojnë llojet e përgjegjësive të cilat i kanë qytetarët, dhe si mund të inkurajohen ata që përgjegjësitë e tyre t’i marrin më seriozisht. Grup i skedave për diskutim (prospektet për nxënës 9.2), fletë e madhe e letrës dhe markera (shënues)për çdo grup me nga 4-6 nxënës. Prezentime, punë në grupe të vogla dhe diskutim me tërë klasën.

Mësimi 4:

Parlamenti i nxënësve

Nxënësit mund të përcaktojnë kriteret se si duhet të qeveriset shkolla dhe roli i masës së nxënësve në këtë proces. Nxënësit mendojnë se si do të funksiononte parlamenti ideal i nxënësve. Një pyetësor për çdo nxënës (prospektet për nxënës 9.3), një fletë e madhe e letrës dhe markera (shënues)për çdo grup me nga 4-6 nxënës. Prezentime, diskutime individuale, në grupe të vogla dhe me tërë klasën.