Mësimi 1: Kush është përgjegjës?
Living Democracy » Textbooks » Të jetuarit në demokraci » Pjesa 4: Pushteti dhe kompetencat » NJËSIA 9: Qeverisja dhe politika » Mësimi 1: Kush është përgjegjës?Cila është mënyra më e mirë për qeverisjen e një vend?
Objektivi i mësimnxënies | Nxënësit mësojnë për forma të ndryshme të qeverisjes, p.sh. demokracia dhe diktatura. |
Detyrat e nxënësve | Nxënësit reflektojnë në drejtësinë e sistemit aktual të qeverisjes në një shoqëri imagjinare. |
Burimet | Kopje të prospekteve për nxënës 9.1 për çdo nxënës, letër dhe stilolapsa. |
Metoda | Tregim, punë në çifte, diskutim me tërë klasën, debat formal. |
Të mësuarit konceptualFormat e qeverisjes mund të klasifikohen në mënyra të ndryshme, për shembull, nga pikëpamja se kush e mban pushtetin, si u jepet pushteti njerëzve, ku shtrihet sovraniteti dhe si zbatohen rregullat. Në praktikë, llojet kryesore janë: demokracia, monarkia, teokracia dhe tirania ose diktatura. Këto duhet të konsiderohen si “lloje ideale”, sepse në realitet ata mund të bashkekzistojnë në vendin e njëjtë – për shembull, një demokraci parlamentare mund të përfshijë brenda vetes elemente të diktaturës ose mund të bashkekzistojë me një familje mbretërore në pushtet. |
Mësimi
Mësimdhënësi e fillon mësimin duke lexuar tregimin, “Mbretëria Sikkal” (prospektet për nxënës 9.1). Çdo nxënës duhet të ketë kopjen e tij të tregimit, ashtu që ata të mund ta përcjellin derisa mësimdhënësi lexon.
Mësimdhënësi duhet të ndalet gjatë leximit të tregimit dhe të pyes:
- Çka mendoni për jetën në Sikkal nga ajo që keni dëgjuar deri tani?
Në fund të tregimit, mësimdhënësi duhet të pyes:
- Çka mendoni për jetën në Sikkal tani?
Mësimdhënësi i ndan nxënësit në çifte dhe kërkon që ata të reflektojnë në cilësinë e jetës në Sikkal. Nxënësve u jepet një fletë e letrës në të cilën ata duhet të shënojnë çka mendojnë se janë përparësitë dhe të metat e të jetuarit në Sikkal.
Mësimdhënësi kërkon nga çiftet që klasës si tërësi t’ia paraqesin mendimet e tyre dhe i shënon argumentet kryesore që t’i shohin të gjithë.
Në vijim mësimdhënësi kërkon që klasa si tërësi të reflektojë në mënyrën se si qeveriset Sikkal:
- A mendoni ju se Sikkal qeveriset në mënyrë të drejtë? Pse po ose pse jo?
- Nëse mendoni se mund të qeveriset në mënyrë më të drejtë, çka do të kishte nevojë të ndryshoni që ajo të jetë më e drejtë?
Pastaj mësimdhënësi kërkon që klasa të imagjinojë se ata janë banorë të Sikkal. Klasa është e ndarë në dy grupe të mëdha për debat: nga njëri grup kërkohet që të diskutojë në dobi të vazhdimit të drejtimit të vendit nga mbreti; nga grupi tjetër kërkohet që të përkrahë idenë që çdo banor – jo vetëm mbreti – duhet të shprehin mendimin e tyre për drejtimin e vendit. Mësimdhënësi u jep grupeve disa minuta që të mendojnë dhe të shënojnë argumentet që mund t’i përdorin në debat. Dy grupet e ndryshme ulen përballë njëri tjetrit në anët e ndryshme të klasës dhe fillon debati. Nxënësit nga secila anë me rend i shprehin mendimet e tyre – ndoshta të ndihmuar me “shkop për zërim”, d.m.th. një shkop i përdorur si mikrofon.
Mësimdhënësi kërkon nga nxënësit që të japin mendimet e tyre se cila nga këta dy anë kishte argumentet më bindëse.
Nxënësit tani janë të gatshëm për një shpjegim të shkurtër (qasja induktive). Mësimdhënësi shënon emrat e pesë llojeve të qeverisjes dhe shpjegon si ndryshojnë ata, duke iu referuar mendimeve të nxënësve ku është e mundshme:
- monarkia;
- demokracia;
- diktatura;
- teokracia;
- anarkia.
Mësimi përfundon duke i pyetur nxënësit për sistemin e qeverisjes në vendin e tyre. Për detyrë shtëpie, nga nxënësit kërkohet që të mësojnë më shumë për këtë dhe të formulojnë një kuiz – me 5- 10 pyetje – për të testuar dijen e pjesës tjetër të klasës në mësimin pasues.