Çka duhet të presë shteti nga qytetarët e tij?

Objektivi i mësimnxënies Nxënësit mësojnë për detyrat e qytetarëve në një shoqëri demokratike.
Detyrat e nxënësve Nxënësit shqyrtojnë llojet e përgjegjësive të cilat i kanë qytetarët, dhe si mund të inkurajohen ata që përgjegjësitë e tyre t’i marrin më seriozisht.
Burimet Grup i skedave për diskutim (prospektet për nxënës 9.2), fletë e madhe e letrës dhe markera (shënues)  për çdo grup me nga 4-6 nxënës.
Metoda Prezentime, punë në grupe të vogla dhe diskutim me tërë klasën.

Kuti informacioni

Qytetarët në një shoqëri demokratike duhet të presin që t’ju jepen të drejta të caktuara siç janë të drejtat civile, të drejtat politike, të drejtat shoqërore, të drejtat kulturore dhe të drejtat ambientale. Si duhet të jenë këto të drejta është çështje për t’u debatuar. Për debat është edhe çështja e përgjegjësive të cilat shkojnë me këto të drejta. Disa njerëz mendojnë se qytetarët duhet të kenë vetëm një përgjegjësi – t’i binden ligjit. Të tjerët mendojnë se shoqëria kërkon që qytetarët të kenë një varg më të gjerë të përgjegjësive.

Mësimi

Mësimdhënësi e fillon mësimin duke i ndarë nxënësit në grupe me nga 4-6 vetë dhe duke i dhënë çdo grupi një palë skeda për diskutim (prospektet për nxënës 9.2). Çdo skedë përfshin një detyrë të sugjeruar për qytetarin.

Mësimdhënësi kërkon që nxënësit të klasifikojnë skedat në tri kategori – varësisht nëse mendojnë se detyra e sugjeruar në skedë duhet të zbatohet për:

  1. TË GJITHË qytetarët;
  2. DISA nga qytetarët ose
  3. ASNJË nga qytetarët.

Mësimdhënësi kërkon nga nxënësit të paraqesin vendimet e tyre para klasës si tërësi dhe të shpjegojnë mendimin i cili qëndron pas tyre.

Nxënësit kthehen në grupet e tyre dhe atyre u jepen fletë të mëdha të letrës dhe markera (shënues). Mësimdhënësi u tregon nxënësve se detyra e tyre është të përpilojnë “statutin e qytetarit”. Fletën e madhe të letrës duhet ta ndajnë në dy kolona. Në kolonën e parë duhet të shënojnë çka ata mendojnë se çdo qytetarë në vendin e tyre duhet të jetë në gjendje të presë nga vendi i tij (nën titullin “TË DREJAT”), dhe në të dytën, çka pritet nga qytetarët të bëjnë si shpërblim për këtë (nën titullin “PËRGJEGJËSITË”).

Kur ata të kenë mbaruar, grupet duhet të paraqesin mendimet e tyre para pjesës tjetër të klasës, dhe nxënësve të tjerë t’u jep mundësinë që atyre tu parashtrojnë pyetje për punën e tyre.

Më në fund, mësimdhënësi duhet ta pyes klasën si tërësi:

  • A mendoni se qytetarët në vendin tuaj gjithmonë i përmbushin përgjegjësitë e tyre si qytetarë ashtu siç do të duhej? Pse po ose pse jo?
  • Çfarë gjërash mendoni se mund të bëhen për të inkurajuar njerëzit që përgjegjësitë e tyre si qytetarë t’i marrin më seriozisht?
  • A mendoni se qytetarëve duhet t’u merren disa të drejta nëse ata nuk i përmbushin siç duhet përgjegjësitë e tyre si qytetarë? Pse po ose pse jo?

Për detyrë shtëpie, nxënësit duhet të bëjnë një anketë me familjen dhe shokët, duke i pyetur se cilat përgjegjësi mendojnë se duhet t’i ketë një qytetar. Konstatimet e tyre duhet t’ia paraqesin klasës në fillim të mësimit të ardhshëm.