Fleta e punës së nxënësit 2.6: Konventa për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore, (Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut) amenduar nga Protokolli nr. 11 me protokoll 1, 4, 6 (pjesë të shkëputura)
Living Democracy » Textbooks » Pjesëmarrja në demokraci » Manuali për nxënësit » Fleta e punës së nxënësit 2.6: Konventa për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore, (Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut) amenduar nga Protokolli nr. 11 me protokoll 1, 4, 6 (pjesë të shkëputura)Romë, 4.XI.1950
Qeveritë nënshkruese, anëtare të Këshillit të Evropës.
Duke pasur parasysh Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, të shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 10 dhjetor 1948;
Duke pasur parasysh, se kjo Deklaratë ka për qëllim të sigurojë njohjen dhe zbatimin universal dhe efektiv të të drejtave të shpallura në të;
Duke pasur parasysh, se qëllimi i Këshillit të Evropës është që të realizojë një bashkim më të ngushtë midis anëtarëve të tij dhe se një nga mjetet për të arritur këtë qëllim është mbrojtja dhe zhvillimi i të drejtave të njeriut dhe i lirive themelore;
Duke ripohuar besimin e tyre të thellë në këto liri themelore që përbëjnë themelet e drejtësisë dhe të paqes në botë, ruajtja e të cilave mbështet kryesisht mbi një regjim politik demokratik nga njëra anë, dhe nga ana tjetër mbi një kuptim dhe respektim të përbashkët të të drejtave të njeriut nga të cilat varen;
Të vendosura si qeveri të shteteve evropiane, që shtyhen nga e njëjta frymë dhe që kanë një trashëgimi të përbashkët idealesh, traditash politike, lirie dhe shteti të së drejtës, për të marrë masat fillestare për zbatimin kolektiv të disa prej të drejtave të shpallura në Deklaratën Universale,
Kanë rënë dakord sa më poshtë:
Neni 1 – Detyrimi për të respektuar të drejtat e njeriut
Palët e Larta Kontraktuese i sigurojnë çdokujt brenda juridiksionit të tyre, të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Seksionin I të kësaj Konvente.
Seksioni I – Të drejtat dhe liritë
Neni 2- E drejta për jetën
- E drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Askujt nuk mund t’i privohet jeta qëllimisht, me përjashtim të rastit kur zbatohet një vendim gjykate pas dënimit për një krim për të cilin dënimi është parashikuar me ligj.
- Privimi nga jeta nuk konsiderohet të shkaktohet në kundërshtim me këtë nen në rastet kur ky privim vjen nga përdorimi i forcës, që është jo më shumë se absolutisht i domosdoshëm:
a. në mbrojtje të çdo personi nga dhuna e paligjshme;
b. për të kryer një arrestim të ligjshëm ose për të parandaluar arratisjen e një personi të ndaluar ligjërisht;
c. për të kundërshtuar, në përputhje me ligjin, një trazirë ose kryengritje.
Neni 3 – Ndalimi i torturës
Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose degraduese.
Neni 4 – Ndalimi i skllavërisë dhe i punës së detyruar
- Askush nuk do të mbahet në skllavëri ose në robëri.
- Askush nuk do të shtrëngohet të kryejë një punë me dhunë ose të detyruar.
- Për qëllim të këtij neni, termi “punë e kryer me dhunë ose e detyruar”, nuk përfshin:
a. çdo lloj pune që i kërkohet të kryejë zakonisht një personi të ndaluar në kushtet e parashikuara nga neni 5 i kësaj Konvente ose gjatë lirimit të tij me kusht;
b. çdo lloj shërbimi i karakterit ushtarak ose, në rastin e kundërshtarëve të ndërgjegjes në vendet ku kundërshtimi i ndërgjegjes është i njohur me ligj, shërbimi që kryhet në vend të shërbimit ushtarak të detyrueshëm;
c. çdo lloj shërbimi që kërkohet në rast krizash ose fatkeqësish, që kërcënojnë jetën ose mirëqenien e komunitetit;
d. çdo lloj pune ose shërbimi që është pjesë e detyrimeve normale qytetare.
Neni 5 – E drejta për liri dhe siguri
- Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
a. kur burgoset ligjërisht, pas një dënimi të dhënë nga një gjykatë kompetente;
b. kur arrestohet ose burgoset ligjërisht për moszbatim të një urdhri të dhënë nga gjykata në përputhje me ligjin ose për të garantuar përmbushjen e një detyrimi të parashikuar nga ligji;
c. kur është arrestuar dhe paraburgosur për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent, kur ka arsye të besueshme për të dyshuar se ai ka kryer një vepër penale ose kur ka motive të arsyeshme për të besuar se është e nevojshme që të pengohet të kryejë një vepër penale ose të largohet pas kryerjes së saj;
d. kur një i mitur ndalohet ligjërisht, për qëllim edukimi të mbikqyrur, ose për ndalimin e tij të ligjshëm, me qëllim që të çohet përpara autoritetit kompetent ligjor;
e. kur individët ndalohen ligjërisht për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve infektive të personave të sëmurë mendërisht, alkoolistëve, narkomanëve ose endacakëve;
f. kur një person arrestohet ose ndalohet ligjërisht, me qëllim që të ndalohet hyrja e tij e paautorizuar në atë vend, ose për një person kundër të cilit është duke u kryer një procedurë dëbimi ose ekstradimi; - Çdo person i arrestuar duhet të informohet brenda një afati sa më të shkurtër dhe në një gjuhë që ai e kupton, për arsyet e arrestimit të tij dhe në lidhje me çdo akuzë që i bëhet.
- Çdo person i arrestuar ose i paraburgosur në rrethanat e parashikuara në paragrafin 1/c të këtij neni, duhet të çohet menjëherë përpara një gjykatësi ose një zyrtari tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar funksione gjyqësore dhe ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të lirohet në gjykim e sipër. Lirimi mund të kushtëzohet nga garanci për t’u paraqitur para gjykatës.
- Çdo person, të cilit i është hequr liria me arrestim ose me burgim, ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatë me qëllim që kjo e fundit të vendosë, brenda një afati të shkurtër, për ligjshmërinë e burgimit të tij dhe të urdhërojë lirimin, në qoftë se burgimi është i paligjshëm.
- Çdo person, që arrestohet ose burgoset në kundërshtim me dispozitat e këtij neni, ka të drejtën e zbatueshme të dëmshpërblimit.
Neni 6 – E drejta për një proces të rregullt
- Në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij civile ose të çdo akuze penale kundër tij, çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
- Çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht.
- Çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të mëposhtme:
a. të informohet brenda një afati sa më të shkurtër, në një gjuhë që ai e kupton dhe në mënyrë të hollësishme, për natyrën dhe për shkakun e akuzës që ngrihet ndaj tij;
b. t’i jepet koha dhe lehtësitë e përshtatshme për përgatitjen e mbrojtjes;
c. të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij ose, në qoftë se ai nuk ka mjete të mjaftueshme për të shpërblyer mbrojtësin, t’i mundësohet ndihma ligjore falas kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë;
d. të pyesë, ose të kërkojë që të merren në pyetje dëshmitarët e akuzës dhe të ketë të drejtën e thirrjes dhe të pyetjes të dëshmitarëve në favor të tij, në kushte të njëjta me dëshmitarët e akuzës;
e. të ndihmohet falas nga një përkthyes, në qoftë se nuk kupton ose nuk flet gjuhën e përdorur në gjyq.
Neni 7 – Nuk ka dënim pa ligj
- Askush nuk mund të dënohet për një veprim ose një mosveprim, që në momentin kur është kryer nuk përbënte vepër penale, sipas të drejtës së brendshme ose ndërkombëtare. Po ashtu, nuk mund të jepet një dënim më i rëndë se ai që ishte i zbatueshëm në momentin kur është kryer vepra penale.
- Ky nen nuk do të ndikojë mbi gjykimin dhe dënimin e një personi për një veprim ose mosveprim, i cili, në momentin kur është kryer, quhej vepër penale sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës, të njohura nga kombet e qytetëruara.
Neni 8 – E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare
- Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.
- Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.
Neni 9 -Liria e mendimit, e ndërgjegjes dhe e fesë
- Çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose besimin dhe lirinë, qoftë individualisht ose kolektivisht, publikisht ose privatisht nëpërmjet kultit, mësimdhënies, praktikave dhe kryerjes së riteve.
- Liria e shfaqjes së fesë së tij ose besimeve të dikujt nuk mund t’i nënshtrohet kufizimeve të tjera, përveç atyre të parashikuara nga ligji dhe që përbëjnë masa të nevojshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, të shëndetit ose të moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve.
Neni 10 – Liria e shprehjes
- Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. Ky nen nuk i ndalon Shtetet që të kërkojnë liçencimin e ndërmarrjeve të transmetimit kinematografike ose televizive.
- Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.
Neni 11- Liria e tubimit dhe e organizimit
- Çdokush ka të drejtën e lirisë së tubimit paqësor dhe të organizimit me të tjerët, duke përfshirë të drejtën e themelimit me të tjerë të sindikatave dhe të pjesëmarrjes në to për mbrojtjen e interesave të tij.
- Ushtrimi i këtyre të drejtave nuk mund t’u nënshtrohet kufizimeve të tjera përveç atyre që parashikohen me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve. Ky nen nuk ndalon kufizime të ligjshme të ushtrimit të këtyre të drejtave nga pjesëtarë të forcave të armatosura, të policisë ose të administratës shtetërore.
Neni 12 – E drejta për t’u martuar
Burri dhe gruaja, që kanë mbushur moshën për martesë, kanë të drejtë të martohen dhe të krijojnë familje, sipas ligjeve kombëtare që rregullojnë ushtrimin e kësaj të drejte.
Neni 13 – E drejta për zgjidhje efektive
Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.
Neni 14 – Ndalimi i diskriminimit
Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.
…
Protokoll shtesë i Konventws pwr mbrojtjen e tw drejtave tw njeriut dhe tw lirive themelore
Paris, 20.3. 1952
…
Neni 1 – Mbrojtja e pronës
Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë e tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cënojnë të drejtën e Shteteve për të zbatuar ligje, që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose të gjobave të tjera,.
Neni 2 – E drejta për arsimim
Askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për arsimim. Shteti, në ushtrimin e funksioneve që merr përsipër në fushën e edukimit dhe të arsimit, respekton të drejtën e prindërve për të siguruar këtë edukim dhe arsim në përputhje me bindjet e tyre fetare dhe filozofike.
Neni 3 – E drejta për zgjedhje të lira
Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër të organizojnë në intervale të arsyeshme kohore, zgjedhje të lira me votim të fshehtë, në kushte që sigurojnë shprehjen e lirë të mendimit të popullit për zgjedhjen e organit ligjvënës.
…
Protokolli Nr. 4 i Konventws pwr mbrojtjen e tw drejtave tw njeriut dhe tw lirive themelore
Strasburg, 16.09.1963
…
Neni 2 – Liria e lëvizjes
- Kushdo që ndodhet në mënyrë të ligjshme në territorin e një Shteti ka të drejtë, brenda këtij territori, të lëvizë lirisht në të dhe të zgjedhë lirisht vendbanimin e tij.
- Çdo person është i lirë të largohet nga çdo vend, duke përfshirë të tijin.
- Ushtrimi i këtyre të drejtave nuk mund të bëhet objekt i kufizimeve të tjera nga ato të parashikuara në ligj dhe të domosdoshme në një shoqëri demokratike për sigurimin kombëtar ose sigurinë publike, ruajtjen e rendit publik, parandalimin e veprave penale, mbrojtjen e shëndetit apo të moralit, ose mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve.
- Të drejtat e parashtruara në paragrafin 1, në disa fusha të caktuara, mund t’u nënshtrohen disa kufizimeve të vendosura në përputhje me ligjin dhe të justifikuara nga interesi publik në një shoqëri demokratike.
Neni 3 – Ndalimi i dëbimit të shtetasve
- Askush nuk mund të dëbohet, me anë të një mase individuale ose kolektive, nga territori i Shtetit, shtetas i të cilit ai është.
- Askujt nuk mund t’i hiqet e drejta për të hyrë në territorin e Shtetit, shtetas i të cilit ai është.
Neni 4 – Ndalimi i dëbimit kolektiv të të huajve
Dëbimi kolektiv i të huajve është i ndaluar.
…
Protokolli Nr.6 i Konventws pwr mbrojtjen e tw drejtave tw njeriut dhe tw lirive themelore
Strasburg, 28. 4.1983
…
Neni 1: Heqja e dënimit me vdekje
Dënimi me vdekje hiqet. Askush nuk mund të dënohet me një dënim të tillë, as të ekzekutohet.
…
Burimi: www.echr.coe.int/echr/Homepage_EN
Kjo është faqja e internetit e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Përkthime të Konventës Evropiane për të Drejtat evropiane në gjuhët e vendeve anëtare janë në dispozicion në formatin PDF.