8. “Por kjo do të thotë se unë kam të drejtë të bëj një pushim, apo jo?” – Të drejtat e fëmijëve në klasë
Living Democracy » Textbooks » Të ekplorojmë të drejtat e fëmijëve » Pjesa 2: Informacion i përgjithshëm » 8. “Por kjo do të thotë se unë kam të drejtë të bëj një pushim, apo jo?” – Të drejtat e fëmijëve në klasëMësuesja, Sadina Siercic ka përgatitur me kujdes klasën. Një shembull: Fëmijët janë ulur në grupe. Tavolinat e tyre shërbejnë si tavolina grupi dhe karta të vogla janë vendosur mbi to. Në një tryezë, janë lepujt, në një tjetër arinjtë dhe tigrat janë ulur përreth tavolinës së tretë. Plot me entuziazëm, një lepur hap zarfin në tryezën e tij. Mësuesi i kërkon 8-vjeçarit të lexojë rreshtat me zë të lartë.
Lepuri lexon, “Fëmijët kanë të drejtë që të kenë nivelin më të lartë të mundshëm të kujdesit shëndetësor dhe mjekësor” dhe ulet përsëri. “Kemi gjithashtu edhe një numër,” thërret mësuesi. “Ne nuk po bëjmë aritmetikë, por numrat janë të rëndësishëm!” I bindur, lepuri çohet përsëri në këmbë dhe lexon, “Neni 24.” Mësuesi është i kënaqur. Lepuri mund të vijë në krye të klasës, te dërrasa e zezë. Neni 24 tregohet në një copë letër me ngjyrë në formën e një tullumbaceje. Kjo mund të fiksohet në dërrasë.
Në dërrasë ka hapësirë për shumë tullumbace. Së bashku, ata do të mbajnë një tullumbace me fjalët “të drejtat e fëmijëve”. Mësuesi është sa më i lumtur që mundet. “Kjo është një e drejtë që ju e keni,” i thotë ai fëmijëve. Dhe vazhdon: “Në të gjithë zarfat keni edhe shumë të drejta të tjera. Secila e drejtë është një tullumbace.” Fëmijët e kanë kuptuar. Tani shumë duart janë lart në ajër. Ata të gjithë janë të etur të hapin një zarf, ta lexojnë dhe të dalin përpara, të fiksojnë tullumbacen në dërrasë dhe të marrin lavdërim.
Kjo vazhdon për dyzet e pesë minutat e ardhshme. Tani është radha e arushit. Një arushë e re për të qenë të saktë. Ajo ka tërhequr nenin 30. Ajo lexon, “Fëmijët që i përkasin një minoriteti kanë të drejtë të gëzojnë kulturën e tyre, të praktikojnë fenë dhe të përdorin gjuhën e tyre.” Dhe nga tavolina tjetër një tigër shton, “Fëmijët kanë të drejtë për pushim dhe kohë të lirë, për t’u angazhuar në lojë dhe për të marrë pjesë në jetën kulturore dhe artistike. Neni 31.”
Nxënësit e klasës së tretë janë në humor të mirë, entuziastë dhe aktiv. Kemi shumë lëvizje dhe pëshpëritje, dhe të gjithë duan të dëgjohen.
A është ky mësim i mirë? A është ky një mësim i mirë për të drejtat e fëmijëve? Si mund t’i mësoni më mirë të drejtat e fëmijëve? Sa lidhet ky mësim me interesat e nxënësve? Si zhvillohen kompetencat e tyre? Ndoshta më duhet të them se unë e kam vëzhguar këtë mësim në Gorazade, në vjeshtën e vitin 1998. Gorazade është një qytet në Bosnjën Lindore, që u veçua nga bota, u izolua dhe pothuajse u harrua gjatë luftës. Ajo pothuajse vuajti të njëjtin fat të pastrimeve etnike në Srebenicë. Në këtë kuadër, të cilit i shtohet fakti që ky mësim u zhvillua pak vjet më vonë se Marrëvshja e Paqes e Dejtonit, të shohësh tema të tilla si liria e besimit fetar dhe mbrojtja e pakicave të trajtohen në një shkollë në Gorazade, ishte një përvojë emocionuese, por edhe një detyrë jo e thjeshtë për nxënësit dhe mësuesit.
Le të shohim më me hollësi këtë mësim. Pak përapra se të bierë zilja, mësuesi pyeti nxënësit e klasës së tretë çfarë kishin mësuar. Një leurushe ngre dorën dhe thotë, “Tani unë e di se ka një nen 31 që thotë se unë kam të drejtë për pushim dhe dëfrim. Kjo do të thotë se unë kam të drejtë të kem një pushim, apo jo? Mirë, tani unë ndihem e lodhur dhe kam nevojë për pushim” E gjithë klasa fillon të qeshë.Mësuesi qesh me ta dhe pastaj shikon klasën në mënyrë kuptimplotë.
Çfarë ndodhi? Si vazhdoi? Mësuesja e pa veten në vështirësi. Nxënësit jo vetëm kishin mësuar diçka në këtë mësim, por edhe bënë një përpjekje interesante për ta zbatuar atë në një situatë konkrete jetësore. Unë nuk mund të kuptoja mendimet e mësueses, por vetëm mund të përfytyroja situatën e vështirë në të cilën ajo ndodhej. Më futi në mendime: A mund të përdoret konventa, një dokument ligjor, në këtë mënyrë? A është e mundur, duke pasur parasysh paradigmën konstruktiviste, që çdo person duhet të jetë në gjendje të ndërtojë interpretimin e tij për të? Çfarë ndodh në klasë nëse lejohet një gjë e tillë?
Në këtë çast, Sabina Siercic, mësuesja e klasës së tretë nga Bosnja Lindore, nuk kishte kohë për të reflektuar për çështjet komplekse ligjore ose shoqërore. Ajo kishte paraqitur një koncept në klasë dhe e dinte se tani ishte çasti të merrej një vendim: Ajo tani po vendoste një pikë kthese për klasën e saj. Ajo duhet të vendoste nëse të drejtat e fëmijëve do të mbeteshin një mësim i lumtur me ballon, pa ndikim në të menduarit e përditshëm ose nëse këtu në Bosnjën Lindore, në këtë mësim në një mëngjes pranvere të fundvitit 1990, do të ndodhte diçka që e dëshironin të gjithë: një shqyrtim dhe zbatim real i konventës së të drejtave të fëmijës! Sadina Siercic reagoi në këtë mënyrë: Ajo i hodhi një vështrim klasës dhe u kthye nga vajza dhe tha: Po, ti ke të drejtë. Neni 31 ekziston dhe të garanton ty dhe fëmijëve të tjerë pushim. Kjo do të thotë se unë duhet të mendoj me kujdes për detyrat e shtëpisë që ju jap. Unë duhet të mendoj nëse është e drejtë për nxënësit që mbarojnë detyrat gjatë mësimit të mos bëjnë gjë në shtëpi dhe nëse ata që punojnë më ngadalë dhe ndoshta me më shumë kujdes gjatë mësimit duhet të marrin më shumë punë për të bërë në shtëpi dhe, për këtë arsye, të kenë më pak kohë të lirë për të pushuar dhe marrë veten. Po, unë duhet të mendoj për gjëra të tilla, sepse unë e di nenin 31”. Megjithatë, Sadina Siercic kishte ende për të thënë. Ajo vazhdoi” “Unë duhet t’u them edhe diçka tjetër. Ju duhet të dini edhe për nenin 28. Ky nen ju garanton të drejtën për arsimim. Për ju dhe shokët tuaj kjo do të thotë se deri në pushim, është koha për arsimim!”
Klasa ra në qetësi. Nxënësit nuk ishin shumë të kënaqur me përgjigjen e mësueses. Çfarë kishte ndodhur? Një vajzë tetë vjeçare kishte bërë një përpjekje për të kuptuar një konventë ndërkombëtare, të ratifikuar nga vendi i saj dhe i pranuar nga ligji i shtetit. Por, për më tepër, ajo u përpoq të lidhte konventën për të drejtat e fëmijës me përvojën e saj jetësore të përditshme, madje edhe ta zbatonte atë. Ajo u përpoq ta interpretonte dhe ta zbatonte në fushën e të drejtave të jetës së saj, pasi shkolla është pikërisht vendi ku një fëmijëmund të kontaktojë shtetin e saj drejtpërdrejt. Ky është vendi ku vendoset si shteti ndesh fëmijën dhe si fëmija ndesh shtetin.
Po mësuesja? Mësuesja duhet të takojë nxënësit e saj në të njëjtin nivel. Ajo na lejon ta quajmë “fuqizim”, ndërkohë që përpiqet të kundërpërgjigjet në mënyrën e duhur. Sadina Siercic , bashkë me nxënësit e saj filloi të hapë një rrugë të re. Në një mënyrë të kuptueshme për një fëmijë tetë vjeç, ajo tregoi se në konventë ekzistojnë nene që konkurrojnë me njeri-tjetrin. Nene që, megjithëse nuk e mohojnë njeri –tjetrin, duhet të kuptohen si të ndërvarur. Kudo, në këtë klasë, në këtë mëngjes të veçantë, konventa për të drejtat e fëmijës u zbatua si një instrument, jo thjesht për t’u njohur, por për t’u bërë një sistem vlerash i zbatueshëm, që mund të ndihmojë individët të vlerësojnë veprimet e tyre në një kontekst më të gjerë.