Kapitulli 2 – Qartësimi i vlerave

Living Democracy » Textbooks » Mësimdhënia e demokracisë » Kapitulli 2 – Qartësimi i vlerave

V6_P19&93

Hyrje

Në shoqërinë e sotshme, ne mund dhe duhet të zgjedhin vlerat që besojmë se janë të rëndësishme dhe kuptimplote për ne. Duke bërë zgjedhje të tilla, ne përdorim lirinë tonë të personit, mendimit, besimit si dhe lirinë e shprehjes kur tregojmë pikëpamjet tona në publik. Prandaj, ushtrimet në këtë kapitull trajtojnë një parim kyç të të drejtave të njeriut: lirinë e personit ose të individit.

Sikurse tregohet me anë të ilustrimit, liria vetjake vjen bashkë me nevojën për të bërë zgjedhje. Njerëzit e lirë mund të jenë tmerrësisht të vetmuar. Askush nuk mund dhe nuk duhet të na thotë se çfarë të besojmë ose çfarë vlerash duhet të zgjedhim. Por, ne duhet të zgjedhim – përndryshe si do ta marrim vesh se çfarë është e rëndësishme në jetë? Prandaj, zgjedhja e vlerave është një çështje kryesore për të rinjtë, në përpjekjet e tyre për t’iu përgjigjur pyetjeve: Kush jam unë? Cili është identiteti im?

Nga pikëpamja e nevojave të shoqërisë në tërësi,  ne zbulojmë se liria e individit të çon në një shoqëri pluraliste, ku anëtarët e saj mbështetin vlera dhe bindje të ndryshme. Por, pluralizmi mund të jetë edhe burim konflikti. Kjo bën që të lindë pyetja se në cilat vlera mbështeten shoqëria dhe demokracia jonë; për shembull, vlerësimi i kompromisit, mospërdorimi i dhunës apo përfshirja e pakicave). Zakonisht, nëse anëtarët e një shoqërie ia dalin të merren vesh në lidhje me rregullat e argumentimit paqësor dhe të vendimmarrjes, atëherë ata mund të përballojnë mjaft çështje kundërshtuese që lidhen me pikëpamjet dhe interesat e tyre.

Të gjitha këto çështje janë njësoj të rëndësishme në mikro-shoqërinë e një klase shkolle dhe për gjithë shoqërinë në përgjithësi. Në një shoqëri demokratike, asnjë individ ose pushtet nuk ka të drejtën të caktojë vlera për të gjithë. Përkundrazi, qytetarët do të zhvillojnë bisedime për të arritur një marrëveshje, sado të vogël, për disa vlera. Andaj, s’është punë e mësuesit të përcaktojë vlerat nga pikëpamja e korrektësisë politike, e ndonjë partie, bindje a ideologjie të veçantë. Nxënësit duhet të mësojnë se si ta shfrytëzojnë lirinë e tyre të mendimit dhe si t’i ndajnë zgjedhjet e tyre me të tjerët.

Këto ushtrime i mbështetin nxënësit në zhvillimin e aftësive për të zhvilluar bisedime. Ata ndërgjegjësohen për parimin themelor të prapësimit. Ata e kuptojnë se zgjedhja e vlerave ka të bëjë shumë me gjendjen shoqërore dhe mbrojtjen e interesave tona. Në çdo ushtrim, mënyra si nxënësit argumentojnë, në mënyrë paqësore dhe në respekt të ndërsjellë, është po aq e rëndësishme sa edhe vetë çështja për të cilën ata argumentojnë pro apo kundër.