Ushtrimi 3.2. – Spango

Living Democracy » Textbooks » Mësimdhënia e demokracisë » Kapitulli 3 – Njohja me të drejtat e njeriut » Ushtrimi 3.2. – Spango
Objektivi mësimor Qëllimi i këtij ushtrimi është që të paraqitë një këndvështrim global të prejardhjes dhe të shtëpisë së përbashkët, si një hyrje në edukimin për të drejtat e njeriut. Të gjithë njerëzit kanë të njëjtën prejardhje, jetojnë në të njëjtën tokë dhe kanë të njëjtat të drejta, pavarësisht se ku jetojnë apo në ç’gjendje janë. Duke i bërë të dukshme shifrat e mëdha, ky ushtrim i bën ato më të kuptueshme për fëmijët.
Shënim mbi metodën Vlera e këtij ushtrimi qëndron më shumë në modelin e ligjërimit të mësuesit se sa të punës në grup.
Burimet Dy fije spango, 4.8 dhe 7 m të gjata, mundësisht një hartë bote ose një rruzull.

 

Procedura

  1. Mësuesi u tregon nxënësve një spango ose litar 4.8 metra të gjatë dhe kërkon prej tyre të hamendësojnë gjatësinë.  Mbasi nxënësit vijnë në një mendje se spango është 4.8 metra e  gjatë, atëherë  i pyet ata të llogarisin gjatësinë në milimetra.
  2. 4800 milimetra mund të simbolizojnë historinë e tokës tonë, pasi hamendësohet se ajo është 4 milionë e 800 mijë vjet e vjetër.
  3. Mësuesi kthehet prapa në krijimin e planetit dhe përshkruan ngjarjet kryesore të historisë së tokës, 1 milimetër shpreh 1 milion vjet. Sa kohë kanë qeniet njerëzore në këtë tokë? Mësuesi u tregon atyre 1–2 milimetrat e fundit dhe këtë e krahason me pjesën tjetër të spangos. Mos ndoshta njerëzit nuk janë edhe aq të rëndësishëm? Mos ndoshta duhet të tregohemi mjaft të kujdesshëm që të kujdesemi për planetin ku jetojmë në të?
  4. Mësuesi u tregon nxënësve diçka për historinë e njeriut. Me sa dimë, qeniet njerëzore e kanë prejardhjen në Afrikë. Në fillim, të gjithë ne kemi qenë afrikanë! Pastaj, njeriu shtegtoi nga Afrika dhe, përfundimisht, populloi tërë tokën. Sot, ne jemi shumë vende dhe mjaft grupe të ndryshme, që flasim shumë gjuhë të ndryshme dhe kemi fe dhe kultura të ndryshme, por, fillimisht, kemi qenë të gjithë të njëjtë.
  5. Mësuesi u tregon nxënësve fillin e dytë. Sa i gjatë është ai? Sot ne jemi rreth 7 miliardë njerëz në tokë.4 Kështu që 1 milimetër i spangos përkon me 1 milion njerëz. Mësuesi tregon madhësinë e disa prej vendeve më të mëdha në spango. Cila është madhësia e vendit tonë? Disa njerëz duket se botën e ndajnë në «njerëzit tanë» dhe «të huajt». Spango na tregon se shumica e njerëzve janë «të huajt»! Por, të gjithë ne e përdorim këtë planet si shtëpinë tonë dhe duhet të mësojmë si të jetojmë së bashku në të. Vendet e ndryshme të botës, përmes Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kanë vendosur që edhe pse jemi të ndryshëm dhe banojmë në vende të ndryshme, të tërë të kemi të drejta njerëzore të njëjta.

Zgjerim

Mësuesi, mund të shfrytëzojë këtë  hyrje, për të shtjelluar çështjet e mjedisit, të drejtave të njeriut në përgjithësi, paragjykimet dhe stereotipat (shih kreu «Të kuptosh të tjerët»), çështjet gjeografike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

 

4. Mësuesi duhet ta përditësojë këtë shifër nëse është e nevojshme dhe të përshtatë gjatësinë e fillit; kur ky libër u fut për herë të parë në shtypshkronjë (2008), popullsia e botës ishte  6.7 miliardë njerëz.