Kapitulli 5 – Funksionimi i drejtësisë

Living Democracy » Textbooks » Mësimdhënia e demokracisë » Kapitulli 5 – Funksionimi i drejtësisë

V6_P47&96

Hyrje

Figura tregon një djalë dhe një vajzë në një shilarës. Pika ku mbështetet shilarësi s’është në mes, duke i siguruar vajzës krah më të gjatë se të djalit.  Pra, vajza mbizotëron lojën dhe, siç duket, asaj i pëlqen një gjë e tillë. Djali, me fytyrë prej të pakënaquri, po përpiqet fort të zbresë, mirëpo përpjekjet e tij janë të kota. Shpesh situata të tilla çojnë në grindje dhe përplasje. Pika mbështetëse në mes përfaqëson simbolin e një paragrafi që ka të bëjë me ligjin.

Figura mund të lexohet në mënyra të ndryshme dhe kjo bën që të shtrohen pyetje interesante. Mundësitë e vajzës dhe të djalit në këtë situatë janë të pabarabarta, gjë që  trajton çështjen e barazisë gjinore. Çuditërisht, «krahun më të gjatë» të boshtit e ka vajza. Ndoshta ajo po mashtron, gjë që do të thotë se ajo e ka shkelur ligjin ose po përfiton nga një epërsi e siguruar me ligj për të zhdëmtuar diskriminimin ndaj grave dhe vajzave në të kaluarën. Por, a është e ndershme kjo lojë? A është barazia gjithmonë e drejtë? Të drejtat  e kujt mbrohen me ligj.  A shkelen të drejtat e ndokujt dhe nga kush?

Simboli i paragrafit shpalos një këndvështrim tjetër. Kush i ka vendosur rregullat e kësaj loje? Simboli zyrtar i ligjit ka lidhje me shtetin dhe sundimin e ligjit. Shteti mund të përbëhet nga institucionet që ndajnë pushtetin dhe kontrollojnë njëra-tjetrën përmes një sistemi balance dhe kontrolli: parlamenti, qeveria dhe gjykatat. Ai mund të drejtohet nga një autokrat mirëdashës apo despotik. Ligjet janë mjaft të rëndësishme, meqë ato i shndërrojnë të drejtat e njeriut në të drejta civile për qytetarët e një shteti-komb. Prandaj, ligjet mbrojnë të drejtat e njeriut, kur këto shkelen. Megjithatë, siç tregohet në figurë, të drejtat e njeriut mund të shkelen nga bashkëqytetarët, madje edhe nga një ligj jo i drejtë.

Nga ana tjetër, ligji duhet të vendosë drejtpeshimin mes të drejtave të qytetarëve si  individë dhe të  përcaktojë kufijtë e të drejtave të njeriut si individ për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve.

Ushtrimet në këtë kapitull merren me çështjet e barazisë dhe drejtësisë. Nxënësit do të kuptojnë se drejtësia është vendimtare për paqen dhe sigurinë në shoqëri.