Kapitulli 6 – Të kuptuarit e filozofisë politike

Living Democracy » Textbooks » Mësimdhënia e demokracisë » Kapitulli 6 – Të kuptuarit e filozofisë politike

V6_P55&97

Hyrje

Në figurë janë paraqitur një djalë e një vajzë që rrinë përballë njëri-tjetrit. Ata po i tregojnë shoqi-shoqit nga një kub me simbole që paraqitin filozofinë politike. Rëndësi ka që ata po i buzëqeshin njëri-tjetrit, meqenëse simbolet ndryshojnë dhe shprehin kundërshti dhe mosmarrëveshje. Ia vlen të zbulosh domethënien e simboleve, për aq sa është e mundur. Djali tregon simbolin e «ndalimit të bombës», duke i rrëfyer për pacifizmin. Pentagrami mund të përfaqësojë pikëpamjen socialiste, por edhe këndvështrimin tërësor të njerëzimit në gjithësi. Vijat dredha-dredha mund të përfaqësojnë ujin, si simbol për mbrojtjen e mjedisit, por kuptimi mund të jetë edhe krejtësisht i ndryshëm. Vajza tregon simbolin A të anarkizmit. Simboli i gjinisë femërore mund të përfaqësojë këndvështrim feminist. Lulja mund të paraqitë mbrojtjen e mjedisit, a të paqes, por këtij simboli vajza mund t’i ketë dhënë edhe një kuptim të ndryshëm. Të rinjtë po përdorin të drejtat e njeriut: lirinë e mendimit, të shprehjes dhe të barazisë. Nuk ka asnjë pushtet të vendosë se çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabuar.

Figura mbart një mesazh interesant dhe çuditërisht të ndërlikuar. Ne ndërthurim simbolet dhe konceptet në filozofinë politike për të shprehur idetë dhe pikëpamjet tona, por ato mund të jenë të dyvlershme ose mashtruese. Prandaj, duhet t’i shpjegojmë zgjedhjet tona njëri-tjetrit dhe t’i dëgjojmë me kujdes. Ka shumë pika për të cilat mund dhe s’mund të jemi në të njëjtën mendje me ta. Gjashtë simbole mjaftojnë për të na dhënë një ide për një shoqëri pluraliste të hapur. Njëri-tjetrin duhet ta trajtojmë me respekt; vetëm atëherë mund të kemi në dorë një argument të fortë, që nuk ’dëmton asnjë dhe u sjell dobi të gjithëve.

Edukimi për qytetarinë demokratike dhe të drejtat e njeriut (EQD/EDNJ) përmban dy dimensione. I pari ka lidhje me përmbajtjen. Të kuptuarit e filozofisë politike ka rëndësi tek EQD/EDNJ, meqë na pajis me ndjesinë e drejtimit dhe të vlerave kur gjykojmë çështje dhe ndërmarrin veprime. Gjithashtu, i kuptojmë më mirë të tjerët.

Dimensioni i dytë i EQD/EDNJ ka të bëjë me kulturën e kundërshtimit të qytetëruar – mundësisht, të argumentojmë duke buzëqeshur.  Në shkolla duhet të mësohet një kulturë e tillë kundërshtimi, me anë të përvojës dhe reflektimit. Kjo mund të fillojë në një moshë shumë të re dhe, shumë, varet nga shembulli që lënë mësuesit dhe drejtorët. Mësuesi i EQD/EDNJ duhet të marrë masat të shmangë dy kurthe. Njëra është paanshmëria politike. Nuk është e detyra e mësuesit t’u mësojë nxënësve ndonjë doktrinë politike të parapëlqyer, dhe as  t’i shtrëngojë të pranojnë pikëpamjet e tij. E dyta është mospërfillja në heshtje, që është një formë tinëzare e shtypjes. Nxënësit duhet të mësohen të presin, t’i kushtojnë vëmendje të ndërsjellë edhe të reagojnë. Mësuesi duhet t’i nxitë nxënësit të shpjegojnë zgjedhjet e tyre, në mënyrë që të tjerët të mund t’i kuptojnë ato, por ata nuk duhen detyruar t’i përligjin ato.

Ushtrimet mund të përshtaten për grupmoshat e ndryshme dhe mund të përdoren nga fillorja deri në të mesmen.