Ushtrimi 6.1. – Konceptet themelore të mendimit politik

Living Democracy » Textbooks » Mësimdhënia e demokracisë » Kapitulli 6 – Të kuptuarit e filozofisë politike » Ushtrimi 6.1. – Konceptet themelore të mendimit politik
Objektivat mësimore

Nxënësit kuptojnë vlerat që, pa dyshim, drejtojnë argumentin dhe debatin politik dhe se disa nga këto vlera mbështetin të drejtat e njeriut, kurse të tjerat janë kundër tyre (mësimdhënia për të drejtat e njeriut).

Ky ushtrim i stërvit nxënësit të jenë të gatshëm për të studiuar dhe kuptuar vlerat dhe qëndrimet pavarësisht nëse janë apo s’janë në një mendje me to (mësojnë nëpërmjet të drejtave të njeriut).

Burimet Një listë parashtrimesh ose parullash (shih materialet e mëposhtme). Ndryshe, mund të përdoren afishet e zgjedhjeve, kronika televizive ose pjesë nga pohime ose fjalime nga jeta politike.

 

Procedura

  1. Nxënësit formojnë çifte ose grupe me nga katër veta.
  2. Ata identifikojnë nënkuptimet e pohimeve. Lipset t’u jepen pyetje për t’i drejtuar dhe mundësuar për të bërë krahasime, p.sh. për cilat grupe të shoqërisë mund të ketë pasoja një propozim i caktuar dhe cilat mund të jenë këto (nxënësit do të gjejnë përgjigje të tilla si: të pasurit dhe të varfrit, të shëndetshmit dhe të sëmurët, të fuqishmit dhe të dobëtit etj.).
  3. Në qoftë se nxënësve u janë bërë të njohura qasjet themelore të mendimit politik, atëherë ata mund t’i lidhin propozimet me  shkollat ​​e ndryshme të mendimit. Ata mund të gjejnë afri me më shumë se një vijë mendimi.
  4. Pohimet dhe vlerat e tyre themelore nxënësit i gjykojnë në dritën e të drejtave të njeriut.

Zgjerim

Nxënësit diskutojnë pasojat e propozimeve, duke i lidhur me çështjet që diskutohen në vendin e tyre.

Materialet

Lista e propozimeve dhe parullave

  1. Shteti nuk duhet të ndërhyjë në drejtimin e ekonomisë. Ai duhet të kufizohet vetëm në zbatimin e ligjit.
  2. Kujdesi shëndetësor duhet të sigurohet falas.
  3. Të gjitha shoqëritë tregtare duhet shtetëzuar.
  4. Kreut të shtetit duhet t’i jepet pushtet i plotë.
  5. Shteti, punëdhënësit dhe sindikatat duhet të takohen për vendosjen e normës së rritjes të pagave.
  6. Shteti në vetvete është një telash.
  7. Qytetërimi i bardhë është më i miri.
  8. Nxënësit e dobët duhet penguar të mos lënë prapa në mësime nxënësit e tjerë.
  9. Askush nuk ka të drejtë t’u japë urdhra njerëzve të tjerë.
  10. Lipset organizimi i shoqërisë në mënyrë që rendi qeverisës të respektojë hierarkinë natyrore të gjërave.