Ushtrimi 7.3. – Pyetësori për qëndrimet ndaj ndryshimeve

Living Democracy » Textbooks » Mësimdhënia e demokracisë » Kapitulli 7 – Pjesëmarrja në politikë » Ushtrimi 7.3. – Pyetësori për qëndrimet ndaj ndryshimeve
Objektivat mësimore

Nxënësit reflektojnë mbi qëndrimet e tyre dhe i shprehin lirisht ato.

Nxënësit mund të dëgjojnë edhe shokët e tjerë, pa marrë parasysh nëse ata bien në një mendje me njëri-tjetrin apo jo.

Burimet Shënime të shtypura për nxënësin: «Pyetësori mbi qëndrimet ndaj ndryshimeve».

Shënim për mësuesin

Informacion mbi qëndrimet themelore politike

Qëndrimi është prirja për të shprehur një mendim ose për të pranuar një formë sjelljeje të caktuar. Ajo vjen si pasojë e përfshirjes shoqërore dhe e historisë vetjake, e, për këtë arsye, qëndrimi është më pak i ndërgjegjshëm se ideologjia. Qëndrimet «udhëheqin» perceptimet, vendimet dhe veprimet tona.

Qëllimi i këtij ushtrimi është të kuptojmë, duke u nisur nga shprehja e mendimeve, se deri në çfarë masë, një person është në mbështetje ose në kundër një ndryshimi shoqëror.   Ndryshimi, në vetvete, nuk është as i mirë e as i keq, dhe qëllimi nuk është të gjykohen nxënësit, aq më pak të vlerësohen ata. Po ashtu, duhet pasur parasysh se përfundimet e «provës së lakmuesit politik» nuk duhen marrë me gjithë mend, veçanërisht në qoftë se nxënësit nuk janë plotësisht të vetëdijshëm për pasojat e një  deklarate që përfshihet në pyetësor.

Çështja e vërtetë është: pse, çfarë, kur dhe si mund të ndryshojmë. Modelet e mendimit politik që shërbejnë si udhëzime për qëndrimet politike janë zhvilluar që nga epoka e revolucioneve franceze dhe amerikane. Skica e mëposhtme shërben si udhëzues në vija të trasha, por nuk mund të zëvendësojë leximin nga burimet origjinale.

Një qëndrim përparimtar çon në bindjen që ndryshimet janë të dëshirueshme. Ato mund të jenë revolucionare ose reformuese, në varësi të urgjencës së perceptuar dhe të mjeteve në përdorim.

Për revolucionarin, nuk përjashtohet as përdorimi i dhunës, nëse kjo gjykohet  e nevojshme.  Për reformuesin, ndryshimi është i dëshirueshëm, por pa shkëputje radikale me të kaluarën.

Nga ana tjetër, një qëndrim konservator vlerëson traditën dhe parapëlqen përvojën në raport me teorinë. Kjo mund të favorizojë gjendjen ekzistuese ose reaksionin. Të favorizosh gjendjen ekzistuese, do të thotë ta  ruash atë si të  pranueshme,  edhe pse është me të meta.  Rritja organike mund të përkrahet si mënyrë ndryshimi (Edmund Burke). Shqetësimi kryesor është që shtetin ta mbash të fortë dhe të zhdërvjellët, në mënyrë që ai mos mbingarkohet nga pjesëmarrja e tepruar dhe interesat partiake. Megjithatë, reaksionari nuk e pranon gjendjen e tanishme të gjërave: ai ka bindjen se nuk ka gjë më të gabuar se sa ndërmarrja e ndryshimeve dhe dëshiron të kthehet në gjendjen e mëparshme.

Revolucionari dhe reaksionari priren të jenë doktrinarë, domethënë, fundamentalistë, gjë që do të thotë se qëndrimet i mbrojnë duke u mbështetur tek ideologjia, pa marrë parasysh të vërtetën e tanishme.

Të tjerët janë më pragmatikë dhe i përcaktojnë pozicionet e tyre duke analizuar pasojat e menjëhershme.

Ky ushtrim, në vija të përgjithshme, mund të shërbejë si një udhëzues që t’i bëjë nxënësit të kuptojnë ekzistencën e modeleve të ndryshme të të menduarit politik dhe të bëhen të vetëdijshëm për prirjet dhe parapëlqimet vetjake. Shpesh qëndrimet politike, në jetën politike, dalin se ngjajnë me një politikë të pleksur me modelet themelore të mendimit politik, kur neoliberali, ekologu ose teknokrati argumentojnë pikëpamjet e tyre.

Procedura

  1. Nxënësit u përgjigjen pyetjeve. Ata, para çdo pohimi, shkruajnë numrin që dëshmon qëndrimin e tyre, sipas kodit të mëposhtëm:5 – Ata janë plotësisht në favor të deklaratës.
    4 – Ata janë pak a shumë në favor të mendimit të pohuar.
    3 – Ata janë pak a shumë asnjanës në lidhje me mendimin e shprehur.
    2 – Ata janë pak a shumë kundër mendimit në fjalë.
    1 – Ata janë plotësisht kundër deklaratës.
  2. Nxënësit mbledhin shumën e përgjithshme të pikëve, e cila tregon, në një farë mënyre, qëndrimin e tyre politik.
    100-80: revolucionar
    80-60: reformist
    60-40: në favor të ruajtjes së gjendjes
    40-20: reaksionar

A ka mosmarrëveshje të dukshme mes nxënësve, sidomos midis djemve dhe vajzave?

Zgjerim

Puna me tekstet: në varësi të mënyrës së përdorimit të këtij teksti – si një ushtrim që bëhet në fillim apo në fund të materialit – këshillohet që puna me tekstin të bëhet para apo të pasojë këtë ushtrim. Për klasat e përparuara mund të zgjidhen pjesë nga autorë të tillë si Lok, Bërk ose Marks. Përveç kësaj ose si zgjidhje për nxënësit më të vegjël, mund të jenë të përshtatshme deklaratat e politikanëve ose të përfaqësuesve të  partive për  çështje të veçanta.

Shiko edhe ushtrimin e mëposhtëm.

Variacion.

Këto pyetje mund të formulohen mbështetur më shumë  në shqetësime të zonës përreth.

Ndonjë prej pyetjeve mund të shërbejë si pikënisje për debat.

Materialet

Fletë pune për nxënësin 

Pyetësor për qëndrimet që duhen ndryshuar:

  1. Një grua duhet të ketë mundësi të sterilizohet pa lejen e burrit.
  2. Informacioni për  kontrollimin e lindjeve duhet të jetë i arritshëm, sipas kërkesës, për  të gjitha vajzat e reja katërmbëdhjetëvjeçare ose mbi këtë moshë.
  3. Drogat e lehta duhet të ligjërohen.
  4. Referendumet në demokraci duhet të mundësohen me kërkesë popullore.
  5. Kriminelët kanë nevojë për kujdes mjekësor , më shumë  se për ndëshkim.
  6. Dënimi me vdekje duhet të hiqet plotësisht.
  7. Shoqëritë e mëdha tregtare duhen shtetëzuar.
  8. Martesat mes njerëzve të së njëjtës gjini duhet të jenë të ligjshme.
  9. Në ofertat e punës nuk duhet të kërkohet përcaktimi i gjinisë.
  10. Institucionet bamirëse duhet të ndalohen. Shteti e ka për detyrë t’u vijë në ndihmë njerëzve të braktisur.
  11. Personat e zakonshëm nuk kanë nevojë t’i drejtosh ose t’i  kontrollosh.
  12. Nxënësi duhet të marrë pjesë në drejtimin e shkollës ku mëson.
  13. Notat dhe diplomat duhet të shfuqizohen.
  14. Kujtdo i duhet siguruar një e ardhur minimale, pavarësisht nga gjinia, mosha dhe profesioni, madje edhe nëse vendosin të mos punojnë.
  15. Fëmijët  duhen rritur me disa besime  njëkohësisht; zgjedhjen mund ta bëjnë vetë në moshë të rritur.
  16. Udhëheqësit politikë duhet të ndjekin këshillën e shkencëtarëve për përdorimin e zbulimeve shkencore.
  17. Të gjitha qeniet njerëzore lindin me të njëjtin potencial.
  18. Prona private duhet të ndalohet dhe të hyjë në fuqi prona shtetërore.
  19. Askush nuk ka të drejtë t’ia imponojë mendimin e tij të tjerëve.
  20. Duhet ndaluar prodhimi i të gjitha produkteve ndotëse, pavarësisht nga ndikimi i tyre i  menjëhershëm  ekonomik.