Ushtrimi 7.9. – Cikli politik

Living Democracy » Textbooks » Mësimdhënia e demokracisë » Kapitulli 7 – Pjesëmarrja në politikë » Ushtrimi 7.9. – Cikli politik
Objektivat mësimore

Nxënësit janë në gjendje të zbatojnë modelin e ciklit politik me shembujt e proceseve vendimmarrëse.

Nxënësit bëhen të vetëdijshëm për mundësitë e ndërhyrjes dhe pjesëmarrjes në proceset  e vendimmarrjes.

Burimet

Disa fletë pune për nxënësit: «Modeli  ciklik i politikës».

Letra me figura, disa shënjues, gërshërë, ngjitës.

Procedura

  1. Mësuesi paraqet modelin  ciklik të politikave, duke përdorur një nga metodat e mëposhtme:
    • Mësuesi shfrytëzon qasjen deduktive sistematike: ai mban një leksion7 dhe nxënësit vënë në punë mjetet që u janë dhënë.
    • Mësuesi ndjek metodën induktive: ai e fillon me një shembull ose përdor njohuritë dhe përvojën paraprake të nxënësit. Kjo mund të jetë një çështje aktuale, një vendim që e mbështetin ose jo, një problem që i shqetëson. Si pikënisje mund të shërbejë edhe një vendim në shkollë. Mësuesi vijon me një leksion, duke përmendur me takt kontekstin e siguruar nga nxënësit.

    Çfarëdo metode që të përdoret, nxënësit marrin një kopje të materialit të shtypur «Modeli  ciklik i  politikës».

  2. Nxënësit vënë në zbatim modelin. Mund të jepen detyra të ndryshme:
    • Nxënësit e përdorin modelin si një mjet për leximin aktiv dhe të përqendruar të gazetës. Nxënësit, duke punuar në grupe prej katër deri në gjashtë veta, studiojnë gazetat e ditëve të fundit dhe identifikojnë shembuj për secilën nga gjashtë fazat. Artikujt i ngjitin tek afishet e tyre dhe i paraqitin në seancën plenare.
    • Nxënësit ndjekin ecurinë e vendimmarrjes për një çështje të caktuar. Kjo mund të kërkojë materiale që mbulojnë një periudhë më të gjatë dhe, për këtë arsye, mund të jenë të dobishme edhe gazetat më të vjetra. Librat dhe interneti mund të jenë burime me rëndësi. Ky ushtrim mund të zhvillohet në një projekt kërkimor.
  3. Modeli mund të shërbejë edhe si pikënisje për diskutim: në çfarë faze të një procesi vendimmarrës mund të ndërhyjmë? Mësuesi duhet të shpjegojë se dy fazat, «vendimi» dhe «zbatimi», kufizohen me sistemin politik (më përjashtim të rastit kur vendimi  është plebishitar). Por, qytetarët mund të ndërhyjnë në çdo fazë tjetër.

    Materiale

    Modeli ciklik i politikës: Politika si proces i zgjidhjes së problemeve

    Mësimdhënia e demokracisë

    Modeli  ciklik i politikës: informacion në ndihmë të mësuesit

    Cikli politik është model. Ai vepron si hartë, që do të thotë se ai zgjedh disa aspekte nga realiteti dhe shpërfill të tjerat. Në këtë mënyrë pamja bëhet më e qartë, por përdoruesit kurrë nuk duhet ta ngatërrojnë modelin me realitetin. Në këtë rast, modeli ciklik i politikës përqendrohet në politikë si procesi i marrjes së vendimeve dhe i zgjidhjes së problemeve. Pikësynimi i saj nuk është te politika, si luftë për pushtet, edhe pse ky aspekt është i dukshëm. Gjashtë kategoritë çojnë në pyetje kyçe që ndihmojnë për analizën e vendimmarrjes politike; nxënësit nxiten të paraqitin pyetje të tjera që janë më të lidhura me kontekstin.

    Modeli bën një përshkrim ideal procesit të vendimmarrjes politike. Së pari, problemi politik duhet të arrijë deri në agjendën publike. Çështja e futjes në agjendë ka të bëjë shumë me politikën në fuqi. Problemet nuk ekzistojnë si të tilla; ato duhet të përcaktohen dhe të pranohen. Interesat dhe vlerat konkurruese luajnë rol të rëndësishëm, pasi përkufizimi i një problemi ndikon fuqishëm në rezultatin e vendimmarrjes. Për shembull, varfëria mund të përkufizohet si sulm ndaj të drejtave të njeriut ose si shtysë për ta marrë vetë fatin në dorë. Pikëpamja e parë nënkupton që njerëzit e varfër kanë nevojë për përkrahje, ndërsa e dyta, në mënyrë të heshtur, nuk këshillon të ndihmohen edhe aq të varfrit, meqë kjo mund t’i bëjë ata përtacë. Çështja kryesore e përcaktimit të agjendës tregohet nga shigjetat e dyfishta mes kategorive të problemit dhe debatit.

    Debati zhvillohet në kushte të caktuara. Kuadri i modelit është i rëndësishëm: zhvillimet shoqërore, ekonomike dhe ndërkombëtare përcaktojnë të dhënat. Kurse kuadri kushtetues dhe ligjor përcakton rregullat. Kush mund të marrë pjesë në debat? Kush vendos? Këto pyetje ndihmojnë për të kuptuar rezultatin e debatit, vendimin përfundimtar. Kush ka marrë pjesë në debat? Çfarë interesash ishin në rrezik? Për çfarë duheshin zhvilluar bisedime? A ishte e mundur gjetja e kompromisit?

    Zbatimi: Si është paraqitur ose në ç’ mënyrë është zbatuar vendimi? A kanë ndodhur vështirësi ose mosmarrëveshje? A i përmbush zbatimi qëllimet e vendimmarrësve?

    Opinione: Si «kanë zbritur» vendimet? Interesat e kujt janë ndikuar – në mënyrë të favorshme ose të pafavorshme? Cilat vlera janë përfshirë?

    Reagimet: A ka reagime nga individë dhe/ose kolektive, reagime të organizuara nga grupet? A e mbështetin apo e kundërshtojnë vendimin? Shembujt mund të jenë të tilla si: protestat, demonstratat, letra drejtuar botuesit të ndonjë gazete, vendimet e gjykatave, grevat, imigracioni, largimi i investitorëve, shkelja e ligjit etj.

    Problemi: Në fund të fundit, a është zgjidhur problemi fillestar? A ka pasur ndonjë pasojë të padëshiruar ose të paparashikuar? A ka lindur ndonjë problem i ri nga reagimet ndaj vendimit dhe zbatimit të tij? Cikli politik përfundon në rast se problemi zgjidhet. Shumë shpesh, fillon një cikël i ri, me një problem tjetër ose të paparashikuar.

    Nxënësit duhet të kuptojnë se cikli i politikës tregon se ku dhe si qytetarët mund të marrin pjesë në politikë. Ne mund të japim përkufizimin tonë për problemet që kanë nevojë për vëmendje politike dhe kërkojnë publikun si burim për zgjidhjen e tyre. Ne mund të marrim pjesë në debat, të krijojmë mendimin tonë për vendimin dhe të mbështetim apo kundërshtojmë mënyrën në të cilën është zbatuar. Duke bërë kështu, ne po shfrytëzojmë të drejtat tona njerëzore dhe qytetare. Demokracia varet nga demokratë aktivë.

    7. Shiko «Informacion në ndihmë të mësuesit» (në pjesën e titulluar Materiale të këtij ushtrimi).