1. Çfarë ju mundëson ky libër

Ky libër përmban një përmbledhje me 47 ushtrime dhe modele për Edukimin për Qytetari Demokratike (EQD) dhe Edukimin e të Drejtave të Njeriut (EDNJ) në shkolla si dhe në mjedise jo formale të arsimit. Këto modele të mësimdhënies sigurojnë kuadrin e plotë të aktivizimit të nxënësit dhe japin shembuj, krijojnë mundësinë rreth të kuptuarit të parimeve të përgjithshme të demokracisë dhe të drejtave të njeriut (qasja induktive, duke mësuar me anë të shembullit).

Përdoruesit do të zbulojnë se këto modele të mësimdhënies kërkojnë fare pak burime financiare (parimi i  buxhetit të ulët).

Në një mësim ose kapitull, mundësisht me jo më shumë se me katër mësime, këto modele, zakonisht trehapëshe, duhet të nguliten mirë brenda një konteksti.

  1. Mësimi ose kapitulli fillon me një hyrje për të sqaruar temën e mësimit, qëllimin dhe objektivat e tij. Nxënësve u ngjallet interesi për këtë temë.
  2. Nxënësit marrin udhëzime se si t’i kryejnë ushtrimet dhe materialet e nevojshme. Pasta, përfshihen në veprimtarinë e tyre.
  3. Kjo është një fazë reflektimi, diskutimi dhe udhëzimesh të kujdesshëm. Metodat e zakonshme janë kundërveprimet e nxënësve, diskutimi në klasë, të menduarit kritik dhe udhëzime nga mësuesi për të realizuar konceptin kyç që qëndron në themel të modelit. Pa këtë fazë të tretë, nxënësve do t’u krijohet përshtypja se thjesht janë duke zbatuar rregullat për hir të saj.

Fazat 1 dhe 3 nuk janë të përfshira në paraqitjen e modeleve (faza 2). Hyrjet e kapitujve japin një përmbledhje të konceptit kyç ose çështjen që është në qendër të ushtrimeve në atë pjesë; këtu mund të gjendet ndihma për fazën 3. Ky libër synon mësues me përvojë dhe ata mësues që janë të gatshëm të kalojnë ca kohë në përgatitjen me kujdes të mësimit. Përgatitja, kryesisht,    është detyrë e të menduarit me kujdes, duke u përqendruar në fazën 3. Kjo do të thotë se mësuesi duhet të parashtrojë disa pyetje: Cili do të jetë reagimi i nxënësve të mi? Çfarë ndjenjash do të zgjojë ky ushtrim? Cili është koncepti kyç që nxënësit e mi duhet të kuptojnë? Si  ta paraqit atë? Si mund të zbatohet më pas?

Pyetjet që zgjedh mësuesi dhe përgjigjet që do të japin ata ndryshojnë, në varësi të grupit të veçantë të nxënësve, të moshës së tyre dhe mjedisit kulturor. Këtu, kemi përshkruar shembuj të ndryshëm se si mund të zbatohen disa nga modelet që përfshihen në këtë libër në vëllimet shoqëruese të këtij botimi EQ/EDNJ.

Shumë ushtrime janë të përshtatshme për grup-mosha të ndryshme, ndërsa niveli i reflektimit mund të ndryshojë. Disa modele, megjithatë, janë më të ndërlikuara dhe më abstrakte se të tjerat dhe, për këtë arsye, janë më të përshtatshme për nxënës më të përparuar.

2. Qasje të përbashkëta evropiane ndaj EQD/EDNJ

Përdoruesit do të zbulojnë se modelet ndjekin metoda të ndryshme të mësimdhënies dhe të mësuarit. Disa prej tyre përqendrohen më tepër në krijimin e një përvoje të mirëfilltë (p.sh. «Një tufë me lule» ose «Lojë me bashkim pjesësh figure»), të tjerët theksojnë veprimtari të nxënësve në një mjedis të lojës me role (p.sh. «Turistët»). Ka një kategori të tretë materialesh që përqendrohen në tema të veçanta, të cilat mbështeten më shumë në informacione ose burime ekzistuese (p.sh. «Konceptet themelore të mendimit politik»). Së fundi, ka skica për plan pune që çon në përftim produktesh (p.sh. «Afishja e të drejtave të njeriut»).

Shumëllojshmëria e gjerë e qasjeve pasqyron faktin se autorë nga të gjitha viset e Evropës kanë dhënë ndihmesën e tyre për këtë libër. Ata kanë shfrytëzuar burime, tradita mësimdhënieje dhe të mësuari të ndryshëm, si dhe kanë përzgjedhur modele që i njohin nga përvoja e vlefshme dhe të provuarit në klasë.

Megjithatë, ka një kuptim të përbashkët për EQD/EDNJ, që përshkon çdo pjesë të këtij libri: në EQD/EDNJ, metoda mbart mesazhin. Mësimdhënia për demokracinë dhe të drejtat e njeriut duhet të pasqyrohet duke dhënë mësim në frymën e këtyre parimeve, domethënë, t’i mësosh të tjerët përmes demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Prandaj, këto modele ndjekin parimin e të mësuarit me bazë detyre dhe nga përvoja vetjake. Ky kuptim i përbashkët i EQD/EDNJ me të vërtetë mund të quhet Qasje evropiane.

Varianti origjinal i këtij libri u prodhua për të mbështetur seminaret përgatitore për mësuesit EQD/EDNJ në Bosnjë dhe Hercegovinë pas luftës (1992–1995). Këshilli i Evropës ka organizuar seminare për mësuesit, që nga viti 1996 dhe këto veprimtari vazhduan deri në 2006-n. Qëllimi i këtyre seminareve ishte që të mbështeste ecurinë e arritjes së paqes mbas luftës. EQD/EDNJ duhet ta nxitë brezin e ri të zhvillojë një kulturë të tillë politike që mbështet një shoqëri moderne pluraliste dhe tolerante, me institucione demokratike të forta.

Dy vitet e para, autorët e këtij libri u bashkuan për të parapërgatitur mësuesit në mbarë Bosnjën dhe Hercegovinën në seminare verore që zgjatnin deri në dy javë. Konstatuam se mësuesit ishin gjithnjë mjaft të interesuar dhe të gatshëm për të rritur më tej edhe sfidën për të shkolluar nxënësit e tyre për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Sidoqoftë, ata urgjentisht kërkonin materiale për t’u udhëzuar e mbështetur në punën e tyre. Brenda një viti, u arrit botimi i parë i këtij libri. Shpejt u bë i njohur si «Dosja Blu», për shkak të lidhjes së saj me Këshillin e Evropës, dhe u përdor gjerësisht, jo vetëm nga mësuesit në Bosnjë dhe Hercegovinë, por edhe në vende të tjera, përfshirë edhe Federatën Ruse, Moldavinë, Kroacinë, Serbinë dhe Malin e Zi. Reagimet e këtyre përdoruesve ndihmuan në nxjerrjen e një botimi të përmirësuar më 2000-n. Zbuluam se shumë prej mësuesve kërkonin udhëzime dhe mbështetje për të mësuarit në bazë detyre dhe integrimin e tij dhe të mësuarit konceptual, të paraqitur në vija të përgjithshme nga modeli i mësipërm tri hapësh.

Ne arritëm t’u përgjigjeshim kërkesave duke zhvilluar modele të mësimdhënies që përshkruajnë hapat brenda një vargu prej katër mësimesh të hollësishme. Variantet e rishikuara të këtyre modeleve gjenden në vëllimet III, IV dhe V të kësaj serie EQD/EDNJ.

Ky botim modelesh të mësimdhënies së EQD/EDNJ nuk bën më fjalë për kontekstin e posaçëm të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ato, si modele mësimore që paraqitin qasje të përbashkëta evropiane për EQD dhe EDNJ, mund të përdoren në të gjithë Evropën dhe, për këtë qëllim,  edhe në vise të tjera të botës. Autorë të ndryshëm janë bashkuar, si të thuash, gati si në një kor, duke kënduar të njëjtën pjesë, por sigurisht me zërat e tyre të ndryshëm. Kjo u jep përdoruesve mundësinë për të zgjedhur dhe për të provuar qasjet dhe traditat e ndryshme brenda qasjes evropiane ndaj EQD/EDNJ.

Mirënjohje

Duam të falënderojmë tërë autorët që kanë dhënë ndihmesën e tyre në këtë libër dhe që kanë dhuruar gjithë pasurinë e ideve dhe qasjeve të tyre. Gjithashtu, shprehim mirënjohjen tonë për mësuesit, këshilltarët e pedagogjisë, trajnerët dhe anëtarët e grupit të vlerësimit të portofolit në Bosnjë-Hercegovinë, që kanë eksperimentuar modele dhe na kanë dhënë komente të vlefshme. Falënderojmë znj. Olof Olafsdottir dhe znj. Sarah Keating-Chetwynd nga Këshilli i Evropës për durimin e tyre, inkurajimin dhe mbështetjen për përfundimin me sukses të këtij projekti. AZHB(Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Bernë) ka dhënë një ndihmë të pakursyer që i mundësoi PNA (Projektet Ndërkombëtare në Arsim), institut i PHZH (Universiteti i Formimit të Mësuesve), për të vëzhguar projektin. Dhe, në fund, falënderimet tona të veçanta i shkojnë z. Emir Axhoviç, Këshilli i Evropës, Sarajevë, për mbështetjen e tij të palëkundur që ka dhënë në të gjithë ato seminare të parapërgatitjes së mësuesve në Gorazhde, Brçko, Sarajevë, Banja Luka e në vende të tjera, ku kemi paraqitur «Dosjen Blu» dhe kemi marrë vlerësimet që na bënë të mundur prodhimin e këtij varianti të ri të rishikuar.

Zyrih dhe Weingarten, korrik 2008

Rolf Gollob

Peter Krapf