Vlerësimi i ndjeshmërisë gjinore në shkollën time të bazuar në të drejtat e njeriut

Living Democracy » Principals » SHKOLLA E BAZUAR NЁ TЁ DREJTAT E NJERIUT » Vlerësimi i ndjeshmërisë gjinore në shkollën time të bazuar në të drejtat e njeriut

Ndërgjegjësimi

Barazia gjinore është në zemër të parimeve të të drejtave të njeriut dhe vlerave të Kombeve të Bashkuara. Parimet e lidhura me të drejtat e njeriut ndalojnë diskriminimin në bazë të seksit, që do të thotë se shteteve anëtare të tij u kërkohet të promovojnë barazinë gjinore. Sipas Qëllimit 5 të KB për zhvillimin e qëndrueshëm, barazia gjinore nuk është vetëm e drejtë themelore e njeriut, por themel i domosdoshëm për një botë paqësore, më të begatë dhe të qëndrueshme.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, seksi dhe gjinia janë të dyja përcaktues të rëndësishëm të shëndetit. Seksi biologjik dhe gjinia e ndërtuar në aspektin shoqëror bashkëveprojnë për të prodhuar rreziqe dhe cenueshmëri diferenciale ndaj shëndetit të lig, dhe ndryshime në sjellje të shëndetit dhe rezultate shëndetësore për gratë dhe burrat. ‘Gjinia’ përshkruan ato karakteristika të femrave dhe meshkujve që janë krijuar kryesisht nga shoqëria, ndërsa ‘seksi’ përfshin ato që përcaktohen biologjikisht. Sidoqoftë, këta terma shpesh përdoren këmbyeshëm gabimisht në literaturën shkencore, politikat shëndetësore dhe në legjislacion
(https://www.who.int/genomics/gender/en/ anglisht, 21 gusht 2020)

Gjinia kuptohet si marrëdhënie midis meshkujve dhe femrave, si në nivel perceptimi ashtu edhe në nivel material. Gjinia nuk përcaktohet biologjikisht, bazuar në karakteristikat seksuale të femrave ose meshkujve. Gjinia ndërtohet në aspektin shoqëror. Ajo është parim kryesor organizues i shoqërive dhe shpesh rregullon proceset e prodhimit dhe riprodhimit, konsumit dhe shpërndarjes. Përkundër këtij përkufizimi, gjinia shpesh keqkuptohet si promovim vetëm i femrave. Sidoqoftë, çështjet gjinore përqendrohen në femrat dhe në marrëdhëniet midis meshkujve dhe femrave, rolet e tyre, qasja dhe kontrolli mbi burimet, ndarja e punës, interesat dhe nevojat. Marrëdhëniet gjinore ndikojnë në sigurinë e familjes, mirëqenien e familjes, planifikimin, prodhimin dhe shumë aspekte të tjera të jetës.

Gjinia është aspekt integral i të gjitha fushave të arsimit për të siguruar jo vetëm plotësimin e nevojave themelore të vajzave dhe djemve, por gjithashtu që ata të kenë mundësinë, pavarësisht nga seksi i tyre, të arrijnë potencialin e tyre të plotë dhe t’i realizojnë të drejtat e tyre të njeriut.

Për fat të keq, profesionistët e arsimit shpesh barazojnë gjininë me sjellje të caktuara ‘të parashikuara’ (çfarë ‘djemtë duhet të bëjnë’ kundrejt asaj që ‘vajzat duhet të bëjnë’). Ata nuk arrijnë të shohin fotografinë më të gjerë të roleve dhe stereotipeve të ndërtuara shoqërisht që çojnë në sjellje të tilla.

Rolet gjinore krijohen nga një shoqëri dhe mësohen nga një brez në tjetrin si pjesë e kulturës së një shoqërie. Meqenëse gjinia është konstrukt i mësuar shoqëror (për shembull, i mësuar në familje ose në shkollë), çdo gjë që lidhet me të mund të ndryshohet për të arritur drejtësi dhe barazi si për femrat ashtu edhe për meshkujt.

Kur bëhet fjalë për shkollën dhe të nxënit, qëndrimet dhe veprimet e familjeve dhe mësuesve mund të ndikojnë në mënyrë dramatike në zhvillimin kognitiv të vajzave dhe djemve. Familjet përcaktojnë në mënyrë të hapur ose të nënkuptuar rolet e ndryshme që duhet të luajnë djemtë dhe vajzat, dhe ky proces fillon herët. Hulumtimet ndërkulturore tregojnë se fëmijët fillojnë të jenë të vetëdijshëm për ndryshimet dhe stereotipet gjinore rreth moshës dy deri në tre vjeç. Në moshën katër deri në pesë vjeç, fëmijët shpesh janë më të ngurtë dhe të stereotipizuar sesa kur do të jenë më të rritur. Të gjithë rriten mes ndikimeve të familjeve të tyre dhe shkollës që e ndjekin për shumë vite, shumë orë në ditë.

Dallimet e bazuara në seks në qasjet institucionale arsimore janë një lloj diskriminimi seksual në sistemin arsimor që mund t’i prekë si meshkujt ashtu edhe femrat gjatë dhe pas përvojave të tyre arsimore. Meshkujt kanë më shumë gjasa të jenë të shkolluar në mesatare globale, megjithëse rezultatet më të larta të shkrim-leximit për femrat janë mbizotëruese në shumë vende. Meshkujt dhe femrat kalojnë nëpër dallime gjinore derisa arrijnë qëllimet e tyre arsimore. Megjithëse meshkujt dhe femrat mund të kenë të njëjtin nivel arsimor, është më e vështirë për femrat që të fitojnë pozicione të larta menaxheriale në punë dhe shqetësimet e punësimit dhe ato financiare në të ardhmen mund të intensifikohen. Meshkujt në të kaluarën kanë qenë të prirë të marrin më shumë arsimim sesa femrat, por hendeku gjinor në arsim është përmbysur në dekadat e fundit në shumicën e vendeve perëndimore dhe në shumë vende joperëndimore.

A është normale që në shkollën tuaj të shtrohen pyetje si këto: “A ka alternativa pos që vajzat ta pastrojnë klasën?” ose “Çfarë do të ndodhte nëse djemtë do të bënin pastrimin, ndërsa vajzat do të lëviznin tryezat?” Ky lloj i të menduarit kritik mund t’i frymëzojë njerëzit të reflektojnë, rishikojnë dhe të shikojnë nga më afër supozimet e tyre.

A kanë vajzat dhe djemtë mundësi të barabarta për t’u regjistruar në shkollën tuaj? A ndërveprojnë vajzat dhe djemtë me njëri-tjetrin si të barabartë në shkollën tuaj? A ndërveprojnë vajzat dhe djemtë ndryshe me mësuesit e tyre (meshkuj dhe femra)? A pasqyrohen stereotipet gjinore në kurrikulën me të cilën mësojnë nxënësit, në librat shkollorë që ata përdorin, si dhe në klube dhe aktivitete jashtëkurrikulare në shkollën tuaj që janë të hapura dhe të disponueshme për vajzat dhe djemtë?

Qëllimi në vlerësimin e ndjeshmërisë gjinore të shkollës suaj është promovimi i barazisë gjinore. Kjo përpjekje për të kapërcyer hendekun midis vajzave dhe djemve për sa i përket klimës shkollore dhe proceseve të mësimdhënies dhe të nxënit kërkon ndershmëri dhe qasje hap pas hapi.


Përgatitja

Cilët hapa t’i merrni?

  1. Formoni një ekip me të cilin do të punoni gjatë gjithë procesit. Me ekipin tuaj, filloni duke diskutuar së bashku për qasjen e përgjithshme dhe rishikoni listën e treguesve.
    a. Zgjedhni ata tregues që i konsideroni të rëndësishëm për shkollën tuaj.
    b. Shtoni ndonjë tregues që ndieni se po mungon.
    c. Plotësoni formularin me rreth dhjetë tregues që ju duken të rëndësishëm. Sigurohuni që të zgjedhni disa tregues ku ju qëndroni mirë dhe disa ku keni nevojë për zhvillim shtesë.
  2. Me ekipin tuaj, përgatitni një plan ekipor të veprimit dhe një kornizë kohore për vlerësimin e parë, i cili do të jetë pika fillestare për zhvillimin e mëtejshëm. Përfshini në vlerësim:
    a. Nxënësit
    b. Mësuesit
    c. Stafin tjetër të shkollës
    d. Prindërit
    e. Këshillin drejtues të shkollës
    f. Anëtarët e komunitetit me të cilët mund të bashkëpunoni
    g. …
  3. Hartoni një plan veprimi dhe një kornizë kohore. Sigurohuni që ato të përfshijnë:
    a. Profilin e shkollës pas vlerësimit të parë
    b. Hapat që duhet ndërmarrë (në 6 muajt e ardhshëm)
    c. Vlerësimin e dytë, për të mësuar për zhvillimet.
24 tregues të mundshëm për shkollën tuaj për ta vlerësuar arsimimin dhe sjelljen e balancuar gjinore në shkollën tuaj:
  1. Ekzistojnë dhe po zbatohen deklarata të misionit dhe/ose vizionit në shkollë dhe politika kundër diskriminimit gjinor në regjistrim dhe në praktikat e mësimdhënies e të nxënit.
  2. Vajzat dhe djemtë kanë qasje të barabartë në arsimin falas dhe të detyrueshëm.
  3. Vajzat dhe djemtë marrin pjesë në mënyrë të barabartë në përcaktimin e rregullave dhe rregulloreve në klasë dhe shkollë dhe në përcaktimin e masave disiplinore, veçanërisht në drejtim të parandalimit të diskriminimit, dhunës dhe abuzimit.
  4. Prindërit dhe drejtuesit e komunitetit i vlerësojnë në mënyrë të barabartë mësuesit femra dhe meshkuj.
  5. Vajzat kanë qasje në pajisjet dhe hapësirat e higjienës femërore në shkollë.
  6. Vajzat kanë të njëjtën qasje dhe mundësi për lojëra fizike dhe veprimtari të tjera jashtëkurrikulare, si djemtë.
  7. Kurrikula pasqyron realitetet dhe nevojat e përditshme jetësore si për vajzat ashtu edhe për djemtë. Nëse jo, përshtatjet dhe përmirësimet e kurrikulës këshillohen aq sa është e mundur.
  8. Materialet mësimore të siguruara nga shkolla përshkruajnë vajzat dhe djemtë me prejardhje të ndryshme socio-ekonomike me rëndësi, potencial dhe respekt të barabartë.
  9. Materialet mësimore të siguruara nga shkolla janë të liruara nga paragjykimet gjinore (p.sh., terma të tillë si “ai” ose “ajo” përdoren me të njëjtën shpeshtësi).
  10. Rolet, përgjegjësitë dhe aktivitetet e vajzave dhe djemve pasqyrojnë një ekuilibër të fuqisë dhe vendimmarrjes.
  11. Stereotipetgjinore janë të përmbysura (p.sh., vajzat mund të jenë mjeke ose shkencëtare, djemtë mund të jenë mësues ose infermierë).
  12. Vajzat dhe djemtë vendosen në foto, grafikë dhe ilustrime me shpeshtësi të barabartë dhe me status të barabartë (pa stereotipe gjinore).
  13. Vajzat dhe djemtë përshkruhen në mënyrë të barabartë në pozitat udhëheqëse dhe si “heronj”.
  14. Vajzat dhe djemtë trajtohen në mënyrë të barabartë për sa i përket vetëbesimit, inteligjencës dhe aftësive të tyre për zgjidhjen e problemeve.
  15. Të gjithë mësuesit presin dhe inkurajojnë vajzat dhe djemtë të kontribuojnë dhe të marrin pjesë në të mësuarit dhe në aktivitete të tjera në mënyrë të barabartë.
  16. Të gjithë mësuesit i vlerësojnë njëjtë pikëpamjet e vajzave dhe djemve.
  17. Të gjithë mësuesit besojnë se si vajzat ashtu edhe djemtë mund të arrijnë kompetenca të njëjta në të gjitha lëndët, duke përfshirë shkrim-leximin, matematikën, shkencat dhe aftësitë mbi jetën.
  18. Mësuesit janë trajnuar për të identifikuar në mënyrë aktive paragjykimin gjinor në materialet mësimore, në mjedisin shkollor, në mësimdhënien e tyre, dhe ata mund ta korrigjojnë paragjykimin ekzistues.
  19. Administratorët e shkollës i trajtojnë mësuesit meshkuj dhe femra në të njëjtën mënyrë.
  20. Gratë dhe burrat e komunitetit me njohuri ose aftësi të specializuara përkatëse janë të ftuar dhe të mirëpritur në klasa si persona burimorë.
  21. Vajzat dhe djemtë ndihen me vetëbesim për të bërë zgjedhje lëndësh që nuk mund të konsiderohen si tradicionale për meshkuj ose femra.
  22. Vajzat mbështeten për të arritur zotërimin e matematikës dhe shkencave.
  23. Vajzave dhe djemve u caktohen në mënyrë të barabartë përgjegjësi të mëdha, siç është të qenit udhëheqës të klasës ose grupit në aktivitete të caktuara.
  24. Përfaqësimi i barabartë i vajzave dhe djemve sigurohet në këshillat e shkollës ose aktivitete të tjera shkollore.

Veprimi

Si ekip, zgjedhni 10 tregues prej listës.

Treguesit e përzgjedhur për
ndjeshmëri gjinore
Gjendja e këtyre treguesve në shkollën time, prej 1 deri në 10 Hapat që duhen marrë (mbledhur nga ekipet diskutuese)
1.
2.
3.
4.
5.
6.
7.
8.
9.
10.

 

  1. Bazuar në listën e mësipërme, përgatitni një fletë ose afishe për t’ua dhënë të gjitha palëve të përfshira në procesin e vlerësimit.
  2. Formoni tryeza të rrumbullakëta me palët e ndryshme të interesit (nxënës, mësues, anëtarë të stafit, prindër, anëtarë të këshillit drejtues, etj.). Ata më vonë mund të takohen me rastin e një ngjarjeje të madhe në shkollë, ose takimeve të planifikuara, në varësi të disponueshmërisë së tyre.
  3. Kërkojuni atyre të diskutojnë për vlerësimin dhe komentet e tyre.
  4. Jepuni atyre për detyrë të dalin me propozime për përmirësim.
  5. Mblidhni të gjitha komentet e propozimet në ekipin tuaj.
  6. Përgatitni një plan kryesor të qartë dhe të realizueshëm për 6 -12 muajt e ardhshëm.
  7. Tregojuni planin të gjitha palëve kryesore të përfshira.
  8. Planifikoni periudhën e ardhshme vlerësuese (transparenca vjen e para!).