Kontroll apo besim? Si të sigurohet disiplina e nxënësve

Living Democracy » Principals » UDHËHEQJA » Disiplina përmes përgjegjësisë » Kontroll apo besim? Si të sigurohet disiplina e nxënësve

“Pyete veten: a sillen nxënësit ndryshe kur nuk ka të rritur rreth e rrotull? Nëse po, pse është kështu?”

(Bäckman/Trafford, Qeverisja demokratike e shkollave, Botim i Këshillit të Evropës 2007, f. 68;)

Nëse i përgjigjeni kësaj pyetjeje me “po”, mund të përballeni me problemin se si ta ruani disiplinën në shkollë. Nxënësit duhet të respektojnë rregullat e shkollës dhe të trajtojnë njëri-tjetrin me respekt; në të kundërtën një shkollë nuk mund të funksionojë dhe jeta në komunitetin e shkollës mund të vihet në sprovë seriozisht. Por cila është zgjidhja adekuate? Vënia e nxënësve nën kontroll dhe mbikëqyrje të përhershme nuk është as e realizueshme e as e dëshirueshme, pasi shkolla juaj do t’u mësonte nxënësve të respektojnë rregullat vetëm nëse ata janë nën mbikëqyrje. Do të jetë e nevojshme një masë e caktuar kontrolli për t’i shtyrë nxënësit t’i marrin seriozisht rregullat e shkollës, por mbikëqyrja e përhershme nuk do të zgjidhë asnjë problem të disiplinës së nxënësve. (Shih temën Të rishikojmë disiplinën dhe rregullin nga një pikëpamje demokratike, në Edukimi për demokraci; http://www.living-democracy.com/sq/textbooks/volume-1/part-2/unit-1/chapter-2/lesson-5/)

Nëse i jeni përgjigjur pyetjes së mësipërme me “jo”, mund të pajtoheni me ne që në pozicionin tuaj si drejtor shkolle, duhet të mbështeteni në qëndrimet e nxënësve tuaj, pasi komuniteti i shkollës, si çdo tjetër, nuk mund të funksionojë pa pëlqimin dhe zotimin e nxënësve. Grupet e ndryshme heterogjene në këtë komunitet – nxënësit, mësuesit, shtëpiakët e punonjësit, prindërit – të gjithë janë të interesuar për suksesin e shkollës, ashtu si ju, dhe ata kontribuojnë në performancën e shkollës në mënyrat e tyre specifike, ashtu si ju. Në të njëjtën kohë, secili lojtar ka interesat dhe nevojat e tij/saj personale në mendje. Ju nuk mund t’i kontrolloni grupet e ndryshme në komunitetin e shkollës, por ju mund të ndikoni në sjelljen e tyre.


Dikush mund të thotë se nxënësit janë përgjegjës për suksesin e mësuesve dhe drejtorëve të shkollave të tyre, dhe se ata varen shumë nga ju dhe stafi juaj në zhvillimin e tyre personal dhe arritjet akademike. Prandaj, të gjithë anëtarët në komunitetin e shkollës mbështeten te njëri-tjetri. Është e rëndësishme t’i bëni nxënësit të vetëdijshëm për këtë, dhe të keni besim tek ata në vend se t’i frikësoni dhe kontrolloni. Nxënësve u duhet ta zhvillojnë një qëndrim të mendësisë dhe përgjegjësisë qytetare – jo vetëm për të luajtur rolin e tyre në një komunitet demokratik të shkollës, por edhe në një shoqëri demokratike si tërësi. Mendësia qytetare përfshin ndjenjën e përkatësisë në një komunitet, si dhe ndjenjën e detyrës qytetare. Përgjegjësia ka të bëjë me të reflektuarit në veprimet e veta dhe marrjen në konsideratë të efekteve të këtyre veprimeve te të tjerët. (Shih Qeverisja demokratike e shkollav, f. 10 e tutje, f. 44 e tutje).

Nëse shkolla juaj arrin t’i forcojë këto qëndrime te nxënësit tuaj, ju mund të jeni shumë më të sigurt se nxënësit tuaj do të dinë si të sillen “kur nuk ka të rritur rreth e rrotull”.